Katër klube të Superiores rrezikojnë përjashtimin nga kampionati

Katër klube të Kategorisë Superiore rrezikojnë përjashtimin nga kampionati i sezonit të ardhshëm, pasi nuk kanë plotësuar kriteret financiare, si shlyerja e detyrimeve dhe rregullimi i bilanceve.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Tirana, Flamurtari, Vllaznia dhe Luftëtari rrezikojnë përjashtimin nga Kategoria Superiore për shkak të mosplotësimit të kritereve financiare. Nëse borxhet dhe detyrimet e prapambetura nuk do të shlyhen deri në datën 31 korrik, atëherë klubet do të duhen të përballen me vendimin drastik të marrë nga Komiteti Ekzekutiv në FSHF.

Sezoni i ri futbollistik në Kategorinë Superiore do të nisë me disa ndryshime të rëndësishme. Duke filluar nga ky vit, vendi i tetë në përfundim të kampionatit nuk do ta ketë të sigurt qëndrimin në Superiore, pasi do të luajë në sistemin “play out”, me fituesin e finales mes dy vendeve të dyta në Kategorinë e Parë. Ky është vendimi i marrë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për të rritur konkurrencën në ligat e futbollit.

Ndër të tjera, krerët e Federatës Shqiptare të futbollit refuzuan kërkesën e një pjese të madhe të klubeve për të aktivizuar deri në 5 lojtarë të huaj gjatë një ndeshjeje, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm, me 4 të tillë. Reformimi do të prekë edhe Kategorinë e parë e cila do të ketë një tkurrje të ekipeve. Brenda pesë viteve të ardhshme pritet që të zbresin rreth 14 skuadra në Kategorinë e Dytë në mënyrë që të shmangen hijet e dyshimeve, tolerimet e mundshme por edhe për të rritur cilësinë e garës në të dy ligat.

Kategoria Superiore fillon më 24 gusht dhe mbyllet më 23 maj.