Katër të lënduar nga aksidenti mes një treni dhe automjeti në Fushë Kosovë

Sot rreth orës 16:50 një tren dhe një automjet janë përfshirë në një aksident në Fushë Kosovë, ku kanë mbetur të lënduar katër persona.

“Rreth orës 16:50 është raportuar lidhur me një aksident në Fushë Kosovë, rr. Fehmi Lladrovci ku janë përfshirë; treni që qarkullon në drejtimin Prishtinë-Pejë dhe një automjet”, ka thënë, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Sipas informacioneve fillestare katër persona raportohet të kenë marrë lëndime trupore, është njoftuar emergjenca, perderisa njësitet kompetente policore janë duke u marrë me rastin”.

Policia e Kosovës ka kërkuar që vozitësit e automjeteve të jenë vigjilentë gjatë drejtimit të tyre dhe t’i respektojnë shenjat e trafikut.

“Kerkojmë nga të gjithë pjesmarrësit në rrugë, në veçanti nga drejtuesit e automjeteve që gjatë drejtimit të automjeteve të jenë vigjilentë, t’i respektojnë shenjat e trafikut dhe kujdes të shtuar të paraqesin nëpër udhëkryqe dhe aty ku kalojnë hekurudhat”.