Katër të vdekur nga koronavirusi brenda 24 orëve

119 raste janë shënuar në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa 4 persona nuk kanë mundur ta përballojnë luftën me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë mbajtur konferencë për media ku kanë komunikuar rastet e reja me koronavirus dhe viktimat gjatë 24 orëve të fundit.

Drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani, bëri të ditura shifrat e fundit me koronavirus në vend.

Ramadani ka raportuar se janë 119 raste të reja, 92 persona të shëruar dhe gjithsej 112 persona të vdekur nga koronavirusi deri më tani.

“Më datë 14 korrik në Laboratorin e Mikrobiologjisë janë testuara 420 mostra, 119 kanë rezultuar pozitive, numri total i rasteve pozitive është 5237. Kemi 112 raste të vdekjes. Në këtë 24 orësh janë shëruar 92 pacientë, numri i të shëruarve ka shkuar në 2462, ndërkaq raste aktive janë 2663”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësise, Armend Zemaj, tha se zbulimi i rasteve do të bëhet çdo ditë në orën 15:00 përmes konferencave të rregullta.

Rezultatet e ditës së sotme do të zbulohen të enjten.

“Kemi vendosur që të ndryshojmë kohën e transmetimit të rezultateve. Në orën 15:00 çdo ditë do të transmetohen. Kjo, qytetarët i kursen nga pritja e kurreshtja dhe u jep mundësi profesionistëve të punojnë pa presion. Në baza ditore do të tregohen edhe të dhënat e pacientëve që janë të shtrirë në QKUK e në spitale”, ka thënë Zemaj.