KEK-u sqaron pse u bë tymi në Obiliq, thotë se s’ka asgjë për shqetësim

Re të pazakonta të tymit të zi janë parë sot mbi termocentralet Kosova A dhe B në Obiliq.

Qytetarë të shqetësuar kanë publikuar fotografi në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur shqetësim se cila është arsyeja pse ato janë shfaqur.

Zyrtarë të KEK-ut kanë thënë se ato janë krejt të zakonshme për shkak se sot ka përfunduar remonti kapital, gjë që kryhet çdo vit.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, i ka thënë Koha.net se nuk ka asgjë të pazakontë derisa ka shpjeguar se tymi i zi është shkaktuar si pasojë e kryerjes së procesit të remontit kapital.

Ai tutje ka shtuar se një proces i tillë ndodhë çdo vit, derisa ka shtuar se tymi i tillë do të zgjasë disa orë

“Jo nuk ka asgjë për shqetësim, është duke u kryer remonti kapital, është diçka e zakonshme. Ky proces kryhet me naftë, kjo është arsyeja pse është shkaktuar tymi. Kjo ndodhë në gjithë botën dhe jo vetëm në Kosovë. Tymi do të zgjasë disa orë”, ka thënë Bucolli.

Ndërkohë, të premten, Korporata Energjetike pati njoftuar se kanë përfunduar me sukses remontin kapital në njësinë B-2, A-3 të TC-Kosovës A, derisa kanë bërë të ditur se do të kenë edhe fazën testuese e cila do të zgjasë tri ditë.

“Në këtë vazhdë, na lejoni të ju njoftojmë se TC-Kosova B, ditë më pare ka përfunduar me sukses remontin kapital në njësinë B-2, dhe pas përfundimit të fazës testuese kjo njësi ka filluar prodhimin me kapacitet të plotë. Remonti kapital ka përfunduar me sukses edhe në njësinë A-3 të TC-Kosovës A, dhe sot ka filluar faza testuese tre ditore”, thuhej në njoftimin e tyre.