Kelmendi: Kurti bëri absolutisht të duhurën që u vaksinua – s’ka këtu politikë, ka shëndetësi

Opinionisti Adriatik Kelmendi, po e vlerëson të duhur veprimin e kryeministrit kosovar Albin Kurti, i cili sot u vaksinua i pari kundër koronavirusit.

Sipas Kelmendit, një gjë të tillë e bënë para tij edhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë shtetërorë.

”Albin Kurti bëri absolutisht gjënë e duhur që mori i pari publikisht vaksinën. S’ka këtu politikë, ka shëndetësi”.

”E kanë bërë para tij edhe Joe Biden, mbretëresha Elizabeth, Papa Benedikti, kryeministrat Netanyahu dhe Erdogan, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Guterres e plot të tjerë”.

”Në kohën kur thuaja gjysma e popullatës besojnë në teori konspirative, është akt patriotik kur një lider i shtetit vaksinohet”.

Njëherit drejtor i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi thekson që pas këtij veprimi, Qeverisë Kurti i mbetet ta bëjnë hapin e radhës që është sigurimi i dozave të tjera të vaksinës për të gjithë qytetarët, njofton Klan Kosova.

”Edhe në Kosovë ka plot njerëz që ende nuk i besojnë as pandemisë dhe as vaksinës”.

”Tash i mbetet qeverisë Kurti ta bëjë hapin e radhës – të sigurojë sa më shpejtë dhe sa më shumë vaksina për të gjithë qytetarët”.

”Vaksinimi nuk ka alternativë!”.