Kërkohet hapja e Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së në Kryeministri

Ushtruesi i detyrës i kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që sa më shpejt ta hapë Zyrën për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, e cila është mbyllur nga ndërrimi i qeverive. Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se mbyllja e kësaj zyre, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka bërë që shumë familjarë të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së të mbesin pa marrë shërbime.

Ai ka treguar se këtë shqetësim ia kanë shprehur edhe kryeministrit Albin Kurti në takim. “Edhe në takimin që kemi pasur ne tri shoqatat e dala nga lufta me kryeministrin ia kemi shfaqur si shqetësim që nuk është hapur zyra ende. Kjo zyrë është mbyllur sepse, siç dihet, shefi i kësaj zyre është edhe këshilltar i kryeministrit për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Dhe në çastin që bie qeveria, bie dhe ai zyrtar”, ka thënë Klinaku.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka fajësuar ish-kryeministrin Hoti për zvarritjen e hapjes së kësaj zyre. “Neve kryeministri na është arsyetuar që është miratuar një rregullore nga qeveria Hoti dhe për shkak të saj nuk po mund ta emërojë këshilltarin për këto kategori.  Nuk e dimë se për çfarë rregulloresh bëhet fjalë, por ne i kemi thënë që sa më shpejt të hapet kjo zyrë dhe të caktohet këshilltari, i cili duhet të merret me çështje të kësaj zyre”, është shprehur.

Klinaku ka bërë me dije se Kurti u ka premtuar që brenda dy javësh do ta funksionalizojë këtë zyrë. “Familjet e kategorive të dala nga lufta janë duke pasur problem me marrjen e shërbimeve. Ata vazhdojnë të sorollaten herë në zyrat tona e herë në qeveri. Siç dihet, disa shërbime që kjo zyrë i kryen për çështje të pensionit, apo për çështje të semestrave për studentët, nuk mund të kryhen pa e marrë vërtetimin nga kjo zyrë. Në takim neve na është premtuar që kjo zyrë do të hapet për një javë apo dy, por prej atij takimi ende nuk kemi informata nëse është bërë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Klinaku.

“Epoka e re” në lidhje me këtë çështje i ka dërguar pyetje Zyrës së Kryeministrit, por nuk ka marrë përgjigje.