Kërkohet paraburgim për burrin që rrahu gruan dhe fëmijët e tij

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në këtë qytet, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.A., i cili në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari A.A., në kohë të papërcaktuar deri më 01 dhjetor 2019, në shtëpinë e tyre në Viti, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë në familje, tek bashkëshortja dhe dy djemtë e tij.

Ai i ka kanosur dhe herë pas here i ka rrahur. Përpos që ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ai ka shkaktuar dhembje, frikë dhe shqetësim të madh emocional.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna në familje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu më 01 dhjetor 2019, rreth orës 17:15 minuta, i dyshuari A.A. me dashje ka lënduar bashkëshorten e tij, V.A., pas një mosmarrëveshje verbale, për motive xhelozie, në prani të fëmijëve, ia merr telefonin nga dora dhe me të e godet në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë, ku pastaj nuk e lejon djalin e tyre që ta dërgojë për tretman mjekësor, por e dërgon vetë, ku gjatë rrugës e kërcënon që të gënjejë se kinse ishte vetëlënduar, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të gënjejë se kinse është lënduar në mobile.

Për këtë ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’./gazetametro.net