Këshilli i Ministrave ratifikon marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët

ATSH-ANSA

Këshilli i Ministrave i jep dritën jeshile projektligjit që ratifikon marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve.

Në strukturat e parashikuara nga ‘Protokolli ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët’, “mund të merren vetëm personat e hipur në automjetet e autoriteteve italiane jashtë detit territorial të Republikës ose shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, edhe pas operacioneve të shpëtimit”.

Sipas burimeve qeveritare, kjo parashikohet në projektligjin që ratifikon marrëveshjen e miratuar në Këshillin e Ministrave.

Kostot vjetore të marrëveshjes për emigrantët me Shqipërinë “janë më të ulëta se ato të përmendura, ne jemi nën 200 milionë dhe do të shpenzohen mirë për të luftuar emigracionin e parregullt”, deklaroi ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

“Përfshirja e vendeve jo anëtare të BE-së është pozitive sepse është një eksperiment, një risi në të cilën protagoniste është Italia. Është një projekt që po e bëjmë bashkë, ndaj jemi të kënaqur që Evropa po e shikon me interes këtë projekt italian”, shtoi ai.