LDK-ja del kundër marrëveshjes pa njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e thërret Kurtin për raportim në Kuvend

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar çdo lloj marrëveshje finale me Serbinë që nuk e përfshin njohjen reciproke.

Një gjë e tillë është bërë e ditur me anë të një komunikate për media, teksa ka bërë të ditur edhe se po kërkon raportim të kryeministrit, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës.

“Për LDK-në, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura dhe sovrane”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“LDK po ashtu kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, përfundon komunikata e objektit opozitar.

Sipas LDK-së, “çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”.