Këshilltari i Thaçit e bën hor Albulena Haxhiun, ajo citoi gabimisht nenin e Kodit Penal të shfuqizuar

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, e ka bërë hor Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, e cila mbrëmë e ka cituar gabimisht nenin e Kodit Penal të shfuqizuar dhe jo nenin e duhur të Kodit Penal në fuqi.

Kodi Penal specifikon qartë kishte thënë ministrja Haxhiu, duke iu referuar nenit 256.

“Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundje ngjitëse nuk vepron sipas urdhërave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me 2 vite burgim”, kishte thënë ajo teksa kishte cituar këtë nen.

Por, ajo që shihet në linqet e postuara nga këshilltari i Thaçit, ky kod penal të cilit i është referuar ministra Haxhiu tashmë është i shfuqizuar.

Edhe Kodi Penal i ri e rregullon të njëjtën çështje, por në nenin 250.

Behramaj ka ironizuar me ministren Albulena Haxhiu, duke i thënë qe meqë ka nisur leximin e legjislacionit dhe Kodit Penal, tash beson se i kupton më qartë edhe veprat e saj penale, që i ke bërë në të kaluarën, nëse më nuk i ngatërrohen nenet dhe ligjet.

“Mirë që Qeveria më në fund e mori pak më seriozisht pandeminë COVID 19. Por, mirë do ishte sikur edhe Ministrja e Drejtësisë, njeriu kryesor i ekzekutivit në sistemin e drejtësisë, të dinte ta bënte dallimin mes Kodit Penal të shfuqizuar dhe Kodit Penal në fuqi, sepse neni 256 i Kodit Penal që ajo mbrëmë e paska cituar, i përket tashmë Kodit Penal të shfuqizuar.
Në Kodin Penal në fuqi, atë çështje e rregullon neni 250.
Për informimin tuaj ministre, ky është Kodi Penal i shfuqizuar, nenin e të cilit ju e keni cituar: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2834;

Ndërsa, ky është Kodi Penal në fuqi: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=18413;
Edhe ministre, meqë paske nisur leximin e legjislacionit dhe Kodit Penal, tash besoj i kupton më qartë edhe veprat e tua penale, që i ke bërë në të kaluarën, nëse më nuk të ngatërrohen kuptohet nenet dhe ligjet”, ka shkruar Behramaj.