Këshilltari i Thaçit tallet me Kurtin: Jo në Komisionin e Venedikut, por në Gjykatë Speciale ke mundur ta dërgosh Presidentin

Këshilltari politik i presidentit të Kosovës, Artan Behrami ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i cili ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venedikut për kompetencat e Presidentit lidhur me dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Behrami përmes një postimi në Facebook, thotë se kryeministri Kurti i ka ditët e numëruara, dhe është ngutur pasi këtë ka pas mundësi ta dërgojë edhe në Gjykatën Speciale.

Sipas tij, Komisionit i Venedikut nuk merret me çështjet që kanë të bëjnë me procedurat e zgjedhjes së Qeverisë.

Ai ka kërkuar nga Kurti që të gjenë ndonjë këshilltar më të mirë ligjor, pasi këtë që e ka nuk i dallon vendimet për Masën e Përkohshme me vendimin final të Gjykatës Kushtetuese.

Postimi i plotë:

Kryeministri me ditët e numëruara, Albin Kurti, dje e paska dërguar një kërkesë në adresë të Komisionit të Venedikut për të kërkuar opinion mbi kompetencat e Presidentit lidhur me dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Qenka ngutur dhe e paska harruar edhe një institucion të Kosovës. Ka mundur ta dërgojë edhe në Gjykatën Speciale!

Komisioni i Venedikut nuk merret me çështje që kanë të bëjnë me procedurat e zgjedhjes së Qeverisë.

Edhe në ditën kur Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim lëndën, Kurti paragjykon vendimin e saj dhe nisë përgatitjen e terrenit për mospranimin e tij përmes një organi ndërkombëtar, që nuk ka kurrfarë autoriteti mbi Gjykatën Kushtetuese.

Gjeje ndonjë këshilltar më të mirë ligjor Albin, jo si ky profesori i drejtësisë që po e mban si ministër, i cili nuk e dallonte as vendimin për Masën e Përkohshme me vendimin final të Gjykatës Kushtetuese!