Kështjella më e lartë nga rëra (foto)

Në Binz të Gjermanisë është ndërtuar kështjella më e lartë nga rëra. Definitivisht nuk është një kështjellë rëre që jemi mësuar ta shohim se si zakonisht fëmijët me prindërit e tyre e ndërtojnë në plazh. Është vërtet një kështjellë gjigante në ndërtimin e së cilës kanë punuar disa persona, e madje është punuar edhe me bager.

Janë nevojitur 12 skulptorë dhe tetë teknikë që brenda tre javësh e gjysmë të punojnë nga tetë orë në ditë që ta kompletojnë ndërtimin e saj, sipas informacioneve nga Rekordet Botërore të Ginisit.

Por mos ta lëmë pa e përmendur atë që e bën të veçantë këtë kështjellë. Është pikërisht lartësia e saj që kap shifrën e 17.65 metrave, dhe ajo gjithashtu ka një diametër prej 26 metrash.

Atyre po ashtu iu janë dashur 11 mijë tonelata të rërës të përzier vetëm me ujë dhe me asgjë tjetër – pra nuk ka pasur aditivë apo ndonjë strukturë të brendshme në të cilën qëndron kështjella.

Ndërtimet kishin filluar në maj ndërkaq ishin kryer më 5 qershor të këtij viti nga kompania gjermane Skulptura Projects GmbH.

Kjo kështjellë është mjaft simbolike pasi që qyteti i Binzit njihet për plazhet me plot rërë, edhe pse kjo rërë, sipas mediave ndërkombëtare, ishte importuar nga Holanda pasi që duket të jetë më e lehtë për t’u modeluar.