Drecun me thirrje për serbët: Mos shkaktoni konflikt me KFOR-in

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka theksuar sot se “është shumë e rëndësishme që serbët në veri të Kosovës dhe grupe të caktuara që kanë ide tjera se si të mbrohen interesat e serbëve në veri, të kuptojnë mesazhet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe që të shmanget çdo konflikt me KFOR-in”, raportojnë mediat serbe.

“Është e një rëndësie të veçantë që përgjigjet e serbëve të jenë të natyrës politike dhe çdo gjë që është përgjigje politike e serbëve është e pranueshme. Gjëja e dytë që dua të theksoj është se ka individë që do të shkatërrojnë reputacionin e Listës Serbe dhe ndikimi i saj në popullin serb dhe me këtë ia heqin mundësinë presidentit serb që të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar serbët”, tha Drecun për TV Pink.

Ai ka vlerësuar se rrëzimi i reputacionit të Listës Serbe dhe e liderëve të saj “dëmton drejtpërdrejt mundësitë e Beogradit dhe Vuçiqit për të ndihmuar popullin serb që të përballet me krizën aktuale”.

Ai ka shtuar se “fatkeqësisht ka grupe dhe individë që e bëjnë këtë dhe se nëse disa njerëz e kanë idenë se zgjidhja e vetme e krizës mund të jetë hyrja e forcave tona të sigurisë në Kosovë, ata duhet të mendojnë mirë se cilat do të ishin pasojat pas këtij hapi”, e bëri të qartë Drecuni frikën e Beogradit nga NATO, transmeton Paparaci.

“Serbët në veri të Kosovës duhet të kuptojnë mesazhet që vijnë nga Beogradi dhe se është Lista Serbe ajo që është lidhja politike me Beogradin. Ata duhet të dëgjojnë se çfarë u thonë njerëzit nga Lista Serbe dhe të sillen në mënyrën se si janë udhëzuar nga njerëzit e LS”, ka thënë Drecun.

Ai ka pretenduar se të gjithë ata që përpiqen të rrëzojnë Listën Serbe dhe liderët e saj “po punojnë drejtpërdrejt kundër interesave të popullit serb”.

Duke iu referuar pohimeve të kryeministrit të Kosovës se anëtarët e “Kobrave” kanë kidnapuar tre policë të Kosovës, Drecun ka pretenduar se “Kobrat” po bëjnë sigurimin personal dhe po e sigurojnë presidentin serb Vuçiq”. Ai ka thënë se me këtë deklaratë Albin Kurti ka dashur ta lidhë drejtpërdrejt presidentin serb me kidnapimin e policëve të Kosovës “thellë brenda territorit të Serbisë”.