Këta janë ish-deputetët e LVV-së, të cilët nuk arritën që të sigurojnë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend

Gazeta Blic ka publikuar numrin e plotë të votave të secilit kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, që garuan në zgjedhjet e fundit, që u mbajtën më 6 tetor.

Nga rezultatet e përgjithshme, Lëvizja që drejtohet nga Albin Kurti, deri më tani ka siguruar 31 deputetë, ani pse ende nuk janë certifikuar zgjedhjet nga ana e KQZ-së.

Por, ajo që bie në sy, është fakti që pesë zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, që ishin deputetë në legjislaturën e kaluar, nuk kanë arritur që t’i sigurojnë votat e nevojshme, për t’u ulur sërish në karriget e Kuvendit.

Xhelal Sveçla, Ismajl dhe Sami Kurteshi, Drita Millaku dhe Shemsi Syla, janë pesë ish-deputetët që sipas gjitha gjasave, nuk do të mund të jenë sërish në këtë pozitë, në legjislaturën e ardhshme.

Sipas informatave të Gazetës Blic, Xhelal Sveçla, ka arritur që t’i grumbullojë 6572 vota, e që në renditjen e përgjithshme, ka zënë vendin e 38.

Sami Kurteshi ka marrë vetëm 3523 vota dhe është renditur i 73-ti, kundrejt Ismajl Kurteshit, i cili ka marrë 6408 vota, që në renditje i bie i 40-ti.

Ish-deputeti, Shemsi Syla, ka arritur që t’i grumbullojë 4317 vota, kurse Drita Millaku 7012 vota, që në renditje Millaku është e 35-ta.