Këtë javë Trusti pritet të shkoj në Kuvend, njohësi i ekonomisë: Të tërhiqen 20 % të kursimeve

Projektligji për Trustin pritet të shkoj në Kuvend këtë javë që po vjen, të paktën kështu ka thënë iniciuesi i tij, Bekim Haxhiu. Tërheqja e 30 % të Trustit ka qenë kërkesë e vazhdueshme e opozitës, por e njëjta pati dështuar të marr miratimin e partisë në pushtet.

“Me apo pa mendim të Qeverisë, Projektligji për Trustin, nga java e ardhshme hyn në procedurë parlamentare në Kuvend. Të hënën duhet të iu shpërndahet deputetëve dhe pastaj të trajtohet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione edhe të vijë për votim në Kuvend”, kishte thënë deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu për Klan Kosova.

Me tërheqjen e të paktën 20% të Trustit po pajtohet edhe ekonomisti, Agim Shahini.

Në një prononcim për Periskopin, Shahini tha se kjo tërheqje do të ndihmonte më shumë qytetarët sesa 100 eurot e ndara të Qeverisë, e në të cilën nuk u përfshin të gjitha kategoritë.

“Qeveria e Kosovës është vonuar që ta miratoj kërkesën e qytetarëve të Aleancës së Biznesit, por edhe të subjekteve të tjera për të lejuar qytetarët e vendit të tërheqin së paku 20 % të Trustit për tejkalimin e krizës sa më shpejtë dhe sa më lehtë. Kjo do të ishte një mbështetje e drejtpërdrejt e bizneseve dhe e qytetarëve të vendit.

Është më e mirë dhe kuptimplotë, fuqiplotë dhe më shumë gjithëpërfshirës ky fond sesa këto 100 euro që po ndahen që nuk po vërehen nga qytetarët dhe bizneset”, tha Shahini për Periskopin.

Madje edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli ka bërë të ditur se do të votojë pro për tërheqjen e TRUST-it.

“Tash do të votoj pro trustit për me tërheq. Herën e kaluar kam abstenuar sepse kam pritur që do të bëhet Banka Shtetërore e Kosovës dhe mjetet financiare të Kosovës do të hyjnë përmes Bankës Shtetërore, të cilat do t’i orientojnë kah investimet kapitale. Ajo nuk po bëhet dhe për mua ka qenë shumë brengosje kjo humbja e përmbi 160 milionë eurove jashtë”, ka deklaruar deputeti i LVV-së.

Kujtojmë se këtë vit Kuvendi i Kosovës kishte dështuar që ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, ku deputetë të LDK-së, AAK-së e përkrahnin nismën e PDK-së.

Partia e tretë opozitare, AAK ishte pro tërheqjes së Trustit. Madje i zëshëm vazhdimisht ishte edhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri i cili u kishte bërë thirrje deputetëve që të votohet projektligji.

“Situata në Kosovë, në aspektin social, kurrë nuk ka qenë më e vështirë! Çmimet janë ngritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, përderisa ndihma e shtetit është më se minimale.Kuvendi i Kosovës, në veçanti shumica parlamentare, e ka në dorë që nesër ta miratojë në lexim të parë Ligjin për Trustin, ligj ky i cili, sado pak do të zbuste vështirësitë për njerëzit në nevojë, kontributdhënësit në një situatë krize”, kishte shkruar Tahiri.

Kundërshtuesit e tërheqjes së një përqindje nga Trusti vazhdojnë të jenë deputetët e Vetëvendosjes.

Kryetari i komisionit për buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja i cili merr pagë mbi 4 mijë euro, muaj më parë deklaronte se s’duhet të preken kursimet pensionale.

“Duhet të ndalojmë çdo nismë ligjore që tenton të preken kursimet pensionale”, kishte thënë Muja.

Edhe kryeministri i Kurtit kishte deklaruar se Qeveria nuk e përkrah tërheqjen e Trustit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë”, kishte theksuar ai.

Por e njëjta ka ndarë mjete në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin, por këtë herë nuk janë përfshirë të gjitha kategoritë.

Nga 100 euro janë ndarë për pensionistët dhe për studentët, ndërsa për punëtorët e sektorit publik nga 50 euro.