Këto janë masat e reja të miratuara – përgjysmohet ora policore e hiqet maska në ambiente të jashtme

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se duke u bazuar nga ecuria e COVID-19, por duke mos e nënvlerësuar atë dhe duke marrë parasysh që mund të ketë variante të reja, kanë marrë masat e reja lehtësuese.

Ai, në një konferencë për media, ka treguar se cilat janë masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër, për të cilat thotë se do të kenë efekt vetëm nëse zbatohen në praktikë.

Masat e reja janë:

  1. Hyrja në Kosovë iu lejohet personave që posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy vaksina (vetëm me një nëse është nga Johnson & Johnson), personave me një dozë të vaksinës të cilët duhet të kenë edhe testin PCR negativ në 48 orët e fundit dhe personave që kanë kaluar COVID-19 në tre muajt e fundit ose janë testuar negativ në 48 orët e fundit;
  2. Hiqet obligimi i bartjes së maskës në hapësira të hapura, por jo edhe për ambiente të mbyllura;
  3. Kufizimi i qarkullimit do të jetë nga ora 00:00 e natës deri në orën 05:00 në mëngjes;
  4. Gastronomia do të punojë deri në orën 23:00;
  5. Në hapësirat garuese në ambiente të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10 %, derisa në hapësirat garuese në ambientet e jashtme deri në 30 %;
  6. Lejohet aktiviteti i bibliotekave, kinemave dhe teatrove deri në 50 % të kapacitetit dhe rihapen fitneset dhe palestrat.