Këto janë procedurat që duhet të ndiqen pas certifikimit të rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ’ja i certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit.

Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Vetëvendosje ka 50,28 përqind apo 438 mijë e 335 vota, PDK 148 mijë e 285 vota apo 17%, LDK ka 110 mijë e 985 vota apo 12,73%.

“106.1 KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga Komisioni Zgjedhor për Parashtresat dhe Ankesat dhe nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Hapat drejt konsituimit të Kuvendit

Në ndërkohë sipas ligjit në fuqi, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, Kuvendi duhet që të konstituohet brenda 30 ditëve, qysh nga shpallja e rezultateve të përgjithshme.

“Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë. 2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 4. Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë. 6. Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë.

Sipas Kushtetutës, LVV-së si parti e parë e dalë nga zgjedhjet i takon që të propozojë një emër në krye të Kuvendit. Ai ose ajo do të jetë përkohësisht personi që do ta zëvendësojë Vjosa Osmanin si u.d e presidentit, e që sipas të gjitha gjasave do ta mandatojë edhe Kurtin.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se Presidenti i Republikës është ai që e thërret seancën e parë të Kuvendit, në këtë rast seanca do të thirret nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Në seancën e parë seanca që udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i votuar në atë legjislaturë propozohet Kryetari i Kuvendit, emër që del nga subjekti më i votuar në zgjedhje. Pastaj zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Në ndërkohë edhe mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.

Hapat drejt zgjedhjes së kryeministrit

Kushtetuta ndërkaq thotë se presidenti i vendit është ai që i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, e kjo bëhet në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshëm në Kuvend.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, duhet që të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kushtetutës në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Emërimi i Presidentit

Kosova përveç qeveri në detyrë, tash e sa muaj nuk ka as president të zgjedhur. Vjosa Osmani ushtron detyrën e Presidentit, duke e zëvendësuar Hashim Thaçin e dorëhequr, sepse sipas Kushtetutës, postin e u.d e mban kryeparlamentari apo kryeparlamentarja aktuale. Pas konsitutimit të Kuvendit, deputetët pritet ta zgjedhin presidentin e ri.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30), ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Vjosa Osmani që ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit në koalicion me LVV-në e Albin Kurtit ka marrëveshje parazgjedhore që e njëjta të jetë propozim i tyre për president të vendit.

Si u.d e presidentit ajo është emëruar që nga 5 nëntori i vitit 2020-të në ditën kur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u nisur drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja.