Këto produkte ushqimore të pasigurta në tregun e Kosovës

Mishi, produktet e mishit dhe gruri janë ushqimet të pasigurta në tregun e Kosovës, ekzistojnë shumë thertore të palicencuara dhe të pa kontrolluara, suxhuku shtëpiak shitet pa etiketë dhe datë të prodhimit e të skadimit, përderisa gruri i cili qëndron gjatë në depo e humb cilësinë e tij për prodhim të bukës cilësore, shkruan Gazeta Metro

Mos akreditimi i labortatorit për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim, mungesa e të dhënave të plota për bizneset që ofrojnë ushqim me preardhje bimore dhe shtazore, mos kontrollet e rregullta nga ana e inspktorëve, e bëjnë Kosovën të pasigurt për sa i përket sigurisë në ushqim që janë disa nga të dhënat e paraqitura në Raportin e Audimit “Siguria e Ushqimit-Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit” e publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas fakteve të paraqitura në raport, auditimi ka nxjerrë në pah se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor, për më tepër, as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim

Inspektorët komunal nuk janë transferuar në Agjencinë Ushqimit dhe Veterinës si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve mes nivelit qendror dhe atij lokal e sipas auditorit kjo rritë mundësinë e kontrolleve jo efikase sikurse në rastin e tregjeve të kafshëve dhe produkteve me prejardhje bimore që nuk kontrollohen nga asnjëri nivel.

Po ashtu, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ende nuk ka bazë të plotë të dhënave për bizneset që ofrojnë ushqim me prejardhje bimore dhe shtazore për të siguruar kontrollin e saj mbi gjithë industrinë ushqimore në vend.

Tutje në raport thuhet se rastet e asgjësimit të ushqimit japin sinjale se ushqimi në treg nuk është aq i sigurt dhe nuk është i kontrolluar në tërësi. Vetëm gjatë vitit 2018, janë asgjësuar rreth 150 mijë kilogram ushqime të ndryshme nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Po ashtu, është raportuar edhe për mish me cilësi të dyshimtë që ishte shitur në tregun e brendshëm. Shqetësime ka edhe për cilësinë e grurit i cili importohet dhe që ka përmbajtje me të ulët se 12% të proteinave. Për më tepër, gruri që qëndron gjatë i deponuar humb cilësitë e tij për prodhimin e bukës cilësore.

Sipas auditorit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës mbulon procesin e inspektimit të para therjeve gjatë therjes dhe pas therjes së kafshëve në thertoret e licencuara, e përveç thertoreve të licencuara, në Kosovë kryhen edhe therje në tregje të pa licencuara (ilegale) të cilat nuk i plotësojnë kushtet për therje të kafshëve e këto tregje nuk kontrollohen as nga agjencia dhe as nga komunat thuhet në raportin e auditimit

Sa i përket sektorit të mishit në dyqane të mëdha që ofrojnë ndër të tjera edhe produkte si suxhuk shtëpiak auditori ka gjetur se jo në të gjitha rastet ka të dhëna rreth përmbajtjes së tyre, në disa raste te suxhuku shtëpiak ekzistojnë etiketa vështirë të lexueshme, kurse në shumicën e raste te ky produkt nuk ka etiketë me përbërësit, nuk ka datë prodhimi, e nuk ka as datë të skadimit.

Gjatë inspektimit në pikat kufitare auditori ka vërejtur se nuk ka kontrollë adekuate gjatë importimit të mishit të ngrier sepse nga kamionët mirret vetëm nga një paketim mish për kontroll.

“Në Pikën inspektuese kufitare të Prizrenit kemi vërejtur se mostër për mishin e ngrirë merret vetëm një paketim e mishit brenda ngarkesës (kamionit). Gjatë vëzhgimit fizik të pikës inspektuese kufitare të Mitrovicës kemi vërejtur se edhe pse në bazë të rregullores 42 për kontrolle kufitare mostra duhet të merren së paku në tri pjesë të ngarkesës në kamion, gjatë vëzhgimit tonë në katër raste kemi vërejtur që është marr vetëm në një vend dhe atë në pjesën e fundme të kamionit” thuhet në raport.

Auditori po ashtu ka vërejtur se në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës figuron vetëm sasia e produkteve të asgjësuara si dhe emri i kompanisë ku janë konfiskuar produktet, por nuk figuron se inspektimi ka ndodhur me kërkesën e kompanisë apo produktet janë asgjësuar për shkak se janë të prishura apo të konfiskuara nga dogana apo policia.

Gjatë vitit 2019 janë raportuar shum raste të konfiskimit dhe asgjësimit të mishit të prishur në marketet e Kosovës./gazetametro.net