KFOR deklarahet dhe mbështet aksionin në veri

Gjatë ditës së sotme Njësitë Speciale të Kosovës kanë filluar një aksion në veri të Mitrovicës nga ku kanë arrestuar zyrtarë doganierë, policë e dhjetëra qytetarë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar.

Për këtë, ka reaguar edhe KFOR ku ka thënë se ky aksion nuk është kundër serbëve por ndaj personave që dyshohet se janë të përfshirë në krim.

“Operacioni i Policisë së Kosovës po zhvillohet me urdhër të Prokurorit në mbarë Kosovën, jo vetëm në veri dhe nuk është i drejtuar ndaj serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime”, tha zëdhënësi i KFOR Vincenzo Graso për Tanjug.

“Tash për tash po e ndjekim situatën, jemi në kontakt me autoritetet e pushtetit në Kosovë, por e kemi të hapur komunikimin edhe me Serbinë”, ka thënë Grasso.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e zyrtarëve të Serbisë, që kanë kërkuar nga KFOR-i të ndërmarrë në lidhje me aksionin e Policisë Speciale të Kosovës në veri. “Në lidhje me këtë kemi dikutuar edhe më herët, ne nuk përzihemi në aksionet policore, deri sa të mos na kërkohet të ndërhyjmë”, citon Tanjug-u Vincenzo Grasson, zëdhënës i KFOR-it.