KFOR-i konfirmon se droni që ra në Mitrovicë është i tyre

Zyra për Informim e KFOR-it ka konfirmuar se droni që ka rënë sot në lagjen “Bair” të Mitrovicës së Jugut ishte pronë e tyre.

Në një përgjigje për Demokracia.com, KFOR-i ka thënë se ulja e dronit në oborrin e një shtëpie ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit.

”Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët tonë u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, ka thënë KFOR-i në përgjigjen e tyre.

Sipas KFOR-it, droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të misionit të tyre.

“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti. KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti”, kanë thënë nga KFOR për Demokracia.com.

Droni ushtarak që ka rënë sot në oborrin e një shtëpie në lagjen “Bair” të Mitrovicës së Jugut quhet “Skylark”.