Kica- Xhelili, Konjufcës: Bëni kërkesë për përjashtimin e anëtarëve të VV’së nga komisioni për rezervat shtetërore

Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica- Xhelili, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca që të kërkojë përjashtimin e anëtarëve të VV’së nga komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, pasi i njëjti tri herë ka dështuar të konstituohet si pasojë e mungesës së deputetëve të pushtetit.

Ajo tha se në bazë të Ligjit për Hetim Parlamentar, lejohet zëvendësimi i anëtarëve të Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore.

“Meqë na keni bllokuar duart me pyetje parlamentare, me debat, me raportim atëherë le t’iu mbetet juve si kryetar i Kuvendit që të bëni kërkesë për përjashtimin e tyre dhe të qartësojë departamenti ligjor si mund të vijojmë me përjashtimin e tyre”, tha ajo.

Më pas Konjufca tha se departamenti ligjor shumë lehtë mund ta japë një interpretim lidhur me këtë çështje dhe pastaj i marrin masat e nevojshme sipas ligjit.

“Departamenti ligjor shumë lehtë mund të na jap një interpretim lidhur me këtë çështje dhe pastaj ne i marrim të gjitha masat e nevojshme sipas ligjeve tona”, tha Konjufca.

Nga Lëvizja vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.