Kica-Xhelili për MINT-in: Ministria të ndiqet penalisht

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, ka diskutuar rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.

Anëtarët e partive opozitare patën kritika sa i përket mos përgjigjes së Ministrisë së Industrisë për dokumentacionet e kërkuara nga ky komision.

Deputeti i VV-së Halil Thaçi, ka thënë se nuk është ditur që të menaxhohet me komisionin Hetimor për katër muaj.

“Kemi pas kohë 4 muaj për të punuar, nuk është ditur që të menaxhohet puna në këtë Komision Hetimor Parlamentar”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka kritikuar ministren për mos përgjigje pozitive për dokumentacionet e kërkuara dhe ai ka thënë se në punën e këtij Komisioni është duke penguar politika.

“Sa i përket punës së këtij Komisioni mendoj se ne nuk e kemi kryer punën për çka ne jemi thirrur dhe askush nuk ka të drejtë që çfarëdo dokumentacioni të kërkohet të mos pranohet. Ka diktat politik te ministrja dhe ministrja nuk po përgjigjet, ne duhet të ndjekim procedurë ligjore për mos përgjigje të ministrisë për dokumentacionet e kërkuara me ligj. Mendoj që kot e shtyjmë afatin kur nuk jemi të interesuar që të qesim në dritë atë për çka jemi thirrur. Po shihet qartë se ka pengesa politike. Kot kërkojmë edhe shtyrjen e afatit sepse mazhornaca nuk ka interes”, ka thënë ai.

Deputeti Halil Thaçi, ka thënë se nuk është e vërtetë që ka pengesa politike, por që pengesë në këtë rast është ligji në bazë të të cilit është thirrur edhe Ministria.

“Është e pavërtetë me quajt diktat dhe e pa vërtet që ka pengesa politke. Pengesa këtu ka ligji. Mos e quaj diktat, kemi 4 muaj që nuk po arrijmë me bë asgjë pasi disa depuetë nuk dinë. Unë nuk kam faj që kryesuesi nuk din të menagjojë”, ka thënë ai.

Gjatë këtij diskutimi pati përplasje ndërmjet deputetes së LDK-së Doarsa Kica Xhelili dhe deputeti të VV-së Salih Zyba.

Kjo pasi deputetja Kica Xhelili, ka thënë se duhet ti drejtohet gjykatës kompetente që të kërkohen dokumentacionet e nevojshme dhe në rast se Ministria nuk përgjigjet pozitivisht, atëherë ministria do të ndiqet penalisht.

Deputeti Zyba, ka thënë se deputetja Kica Xhelili me paralajmërimet për ndjekje penale janë shantazhe dhe se këto janë të pa pranueshme.

“Këto shantazhe janë të pa pranueshme. Stop, stopi vjen prej neve. Mjaft kërcënove dhe shantazhove. Paralajmërimet që i tha kolegja kjo po na detyron që mos me ndjek rrugën e përbashkët. Nuk jemi për kuorum”, ka thënë ai.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi deputetja e LDK-së, Kica-Xhelili.

“Unë nuk shkruj kur flet ti, a ti shkrun kur flas unë. Ti duhesh me dëgju, e shënimet merri të sakta. Unë muj me ta përsërit, por mos i merr prapsht”, i tha ajo Zybës.

“Unë nuk po du me u marrë me pjesën subjektive. Nuk u kuptuar saktë propozimi. Unë e kam bindjen që nuk kemi bashkëpunim për listën e draftuar. Nuk kemi pasur konsensus. Një e treta e këtij komisioni ka vlerësuar që ajo listë është e domosdoshme. Për mua është e rëndësishme relevanca e dokumenteve që kërkohen. Ministria as nuk e ka marrë mundin me kthy Email, nëse ata vlerësojnë se qenka gabim interpretimi ynë, ne vazhdojmë pastaj më pas. Kallëzimi penal është obligim i secilit qytetar që kur dyshon se ka ndodh një vepër penale, me raportu. Unë po them nëse ju mund të dini diçka e po ndihmoni me fsheh, jeni duke kryer vepër penale”, tha Kica-Xhelili.

Ajo e përmendi që në mbledhjen e kaluar, deputeti Halil Thaçi ishte larguar nga seanca, pasi nuk kishte qenë duke marrë pjesë në seancë./EO