Kishte 10 mijë € me vete/ Autorët grabitën, vranë dhe groposën shqiptarin në Greqi, arrestohen dy prej tyre

Policia e Kalamatës, Greqi ka arritur të zbardhë vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Eni Dollani në plazhin e Kyparisia. Një 30-vjeçar shqiptar dhe një 30-vjeçare greke janë arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë ndërsa një 24-vjeçar rom është shpallur në kërkim.

Sipas policisë motivi i vrasjes dhe groposjes së shqiptarit ka qenë grabitja. Kjo pasi mbrëmjen e së dielës, shqiptari dhe autorët po argëtoheshin në një lokal duke pirë alkool. Por Eni Dollani, me origjinë nga Gramshi kishte me vete 10 mijë euro dhe autorët ishin në dijeni të këtij fakti.

Kur grupi ka dalë nga lokali, autorët e kanë çuar 31-vjeçarin në plazhin e Kartelës, ku e kanë goditur disa herë me një send metalik në kokë, duke e vrarë . Më pas ata e kanë varrosur trupin e shqiptarit në rërë për të fshehur krimin e tyre.

30-vjeçari shqiptar dhe 30-vjeçarja greke janë pikasur dhe arrestuar mbrëmjen e së martës në afërsi të Zevgolatio të Bashkisë Oichalia, ndërsa 24-vjeçari rom është ende në kërkim. Në fakt dy të arrestuarve iu gjetën gjithsej 5300 euro, të cilat dyshohet se vijnë nga grabitja e shqiptarit.

Ndaj dy të arrestuarve dhe ndaj 24-vjeçarit është ngritur një dosje për vrasje dhe grabitje.