Kishte paralajmëruar të bëhej kujdes, mjeku nga Kina infektohet edhe vetë me koronavirus

Më 30 dhjetor të vitit të shkuar, Li Wenliang do të lëshonte një “bombë” të vërtetë në një grup chati, të aplikacionit “WeChat”. Ai shkroi se shtatë pacientë ishin diagnostikuar me një sëmundje të ngjashme me virusin SARS.

Wenliang sqaroi se, sipas testeve që kishte vërejtur, bëhej fjalë për koronavirusin – familje e madhe e viruseve, ku përfshihet edhe virusi SARS.

Në vitin 2003, qindra persona kishin vdekur nga virusi SARSA.

“Unë vetëm doja nga kolegët që të tregoheshin të kujdesshëm”, tha ai.

Mjeku 34-vjeçar nga qyteti Wuhan, që është epiqendra e virusit të ri, u kishte thënë miqve që t’i paralajmërojnë të afërmit e tyre në mënyrë private. Megjithatë, pas disa orëve, mesazhet e tij ishin publikuar dhe shpërndarë gjerësisht.

“Kur i pashë mesazhet duke qarkulluar në internet, kuptova se kishin dalë nga kontrolli dhe ndoshta do të ndëshkohesha”, tha mjeku Li.

Ashtu ndodhi! Disa orë pas publikimit të mesazheve, mjeku u akuzua nga policia lokale për përhapje të informacioneve të rreme, shkruan “CNN”.

Nga një sektor i kujdesit intensiv në spital, ai i tha rrjetit CNN se të shtunën ka marrë lajmin se është i infektuar me koronavirus.