Kjo është lista me nënshkrime të delegatëve që pretendojnë rrëzimin e Agim Ademit

Futbolli kosovar në muajt e fundit është përballur me shumë trazira, raporton Zëri.info.

Disa klube kosovare kërkojnë që të ketë ndryshime në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kujtojmë se javë më parë, doli në media lajmi se zëvendës/sekretari i FFK-së, Ariani Ahmeti e nisi një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve për ta rrëzuar presidentin Agim Ademi.

Ahmeti që tashmë është shkarkuar nga pozita e tij në FFK, pretendonte se mandati i Ademit është vazhdimësi i ish-presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri dhe se mandati i tij përfundon në janar të vitit 2020.

Ahmeti e ka nisur fushatën e mbledhjes së nënshkrimeve,derisa në fillim kishte deklaruar se i ka siguruar 41 nënshkrime.

Ndërkohë që Zëri.info e ka siguruar listën e nënshkrimeve të mbledhura nga grupi opozitar.

Në total deri më tash janë 22 nënshkrime. Ndryshe, Zëri.info mëson se vetëm nëntë nga ta janë delegatë legjitim të FFK-së nga 56 sosh të zgjedhur nga klubet dhe regjionet kurse të tjerët janë përfaqësueses të klubeve, por jo edhe delegat zyrtar.

Në këtë listë figurojnë edhe emrat e presidentëve të Superligës, Arsim Kabashi e Abedin Zeka që me deklaratat e tyre kanë shkaktuar shumë reagime në ditët e fundit.

Në listë ndodhen nënshkrimet e delegatëve të Llapit (2), Trepçës ’89 (2), Ballkanit (2), Drenicës (2), Flamurtarit (2) si dhe disa klubeve të Ligës së Parë.

Për ta thirrur Kuvendin, duhen 33 nënshkrime të delegatë nga 56 sa janë në total.

Ndryshe, edhe disa klube të Superligës dhe Ligës së Parë ditët e fundit janë tubuar duke pretenduar që të bëjnë ndërrime në Komitet Ekzekutiv.

Ato kanë dalë me kërkesë ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, përmes së cilës do të kërkohet ndryshimi i përzgjedhjes së anëtarëve për Komitetin Ekzekutiv.

Në kërkesën që e ka siguruar “Zëri” parashikohet që Komiteti Ekzekutiv të përbëhet prej 15 anëtarëve: Kryetarit, dhjetë përfaqësuesve të klubeve të Superligës, një anëtar nga Klubi Kampion i Femrave, tre anëtarë me propozim të kryetarit, njëri duhet të jetë nga minoritet. Gjithnjë sipas këtij propozimi, kryetari i zgjedh dy nënkryetarë nga përbërja e Komitetit Ekzekutiv. Deri më tash Komiteti Ekzekutiv është përbërë nga shtatë anëtarë, të cilët janë zgjedhur nga regjionet.

Ndryshe, Agim Ademi për gazetën Zëri se ai u jep llogari vetëm delegatëve të Kuvendit të Punës të zgjedhur nga FFK.

Kuvendi Zgjedhor i FFK-së për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv mbahet më 27 janar.