Sinani: Mbi 6 mijë shqiptarëve iu mohua e drejta e votës në Serbi

Ardita Sinani, këshilltare politike në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka thënë se mbi 6 mijë shqiptarëve iu është mohuar e drejta e votës në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, për shkak të pasivizimit të adresave në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Serbia ka përfunduar edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe, ndërsa Sinani ka theksuar se shteti serb është drejtuar drejt autokracisë. Gjiashtu, ajo ka konsideruar se nëse kjo nuk do të ndodhte, në legjislativin serb do të fitonin ulëse më shumë deputetë shqiptarë.

“Rrëshqitja e Serbisë drejt autokracisë nën Vuçiç është tashmë e qartë. Zgjedhjet e 17 dhjetorit e vërtetojnë pikërisht këtë. Mbi 6 mijë shqiptarëve iu hoq e drejta e votës përmes pasivimit të paligjshëm të adresave. Nëse kjo nuk do të ndodhte, më shumë deputetë shqiptarë mund të ishin ulur në kuvend”, ka shkruar Sinani, ndërsa ka shtuar se ky veprim ka qenë i qëllimshëm.

“Kjo ishte një shtypje e qëllimshme dhe e synuar që është e motivuar politikisht kundër pakicës shqiptare dhe përbën një sulm ndaj asaj që ka mbetur nga demokracia në Serbi. Komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë, duhet të ndërmarrë veprime”, ka shtuar ndër të tjera këshilltarja politike në Zyrën e Kryeministrit për Luginën e Preshevës.

Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve qëndron në faktin se në momentin kur një qytetari shqiptar i pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe më pas fshihet nga regjistri civil, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë. Po ashtu, shqiptarët nuk mund të votojnë në zgjedhjet lokale ose qendrore të Serbisë sikurse në rastin e zgjedhjeve të fundit.