Kjo është paga e Muriqit te Fenerbahçe

Sulmuesi i Kosovës, Vedat uriqi e ka pranuar ofertën e Fenerbahçes në Superligën e Turqisë. Ai do të fitojë 2.2 milionë euro në sezon te klubi i ri.

Pas negociatave të vazhdueshme më në fund Rizespori ka pranuar, siç raportojnë mediat turke, ofertën 6 milionë euro të gjigantëve turq, Fenerbahçe, për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.

Sipas mediave turke, Fenerbahçe në marrëveshje për Muriqin, ia ka ofruar Rizesporit edhe katër futbollistë të rinj, që besohet të jenë në formë huazimi për sezonin 2019/20.

Nga marrëveshja e arritur, raportohet se Muriqi do të ketë një pagë 2.2 milionë euro në sezon, që në varësi të bonuseve mund të shkojë edhe më lart.

Muriqi kërkohej edhe nga Galatasaray, por klubet dështuan të arrijnë një marrëveshje, kështu sulmuesi shqiptar do ta veshë tani fanellën e Fenerbahçes.

Sezonin e kaluar Muriqi shkëlqeu me 17 gola dhe 8 asistime në Superligën e Turqisë.