Kjo është skema që pritet ta përdor trajneri i Kosovës ndaj Spanjës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes pritet të bëjë disa ndryshime për ndeshjen ndaj Spanjës në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Kosova luan sot në udhëtim me Spanjën në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.

Dardanët kanë udhëtuar tashmë dhe janë gati për ndeshjen e dytë kualifikuese të vlefshme për Grupin B, ndeshje e cila pritet të zhvillohet nga ora 20:45 në Estadio La Cartuja.

Trajneri zviceran pritet të bëjë disa ndryshime të theksuara në formacionin ndaj Spanjës. Challandes fillimisht pritet ta ndryshojë skemën apo renditjen e lojtarëve në formacion dhe disa nga titullarët e ndeshjes së fundit.

Skema që pritet ta përdor trajneri i Kosovës ndaj Spanjës është 5-4-1 e cila mund të transformohet në 3-4-3 apo në 3-5-2.

Në portë pritet të jetë përsëri Samir Ujkani, ndërsa në mbrojtje pritet të kthehet Ibrahim Dresevic nga suspendimi për të krijuar treshen së bashku me Mergim Vojvodën dhe Fidal Aliti.

Nga krahët pritet të luajnë Florent Hadergjonaj dhe Leart Paqarada në vend të Benjamin Kolollit. Në mesfushë pritet të kthehet Valon Berisha nga lëndimi për të zënë vendin e Besar Halimit, ndërsa përkrah tij do të jetë Hekuran Kryeziu.

Vedat Muriqi në qendër të sulmit pritet të ndihmohet nga Arbër Zeneli dhe Milot Rashica, ndërsa Bersant Celina ka mundësi ta fillojë nga banka.