“Kjo gjykatë është qeshkarake” – Safete Hadërgjonaj përplaset me Prokurorinë e Hagës në seancë

Ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka qenë dëshmitarja e radhës në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Ajo ka thënë gjatë dëshmisë se Gjykata Speciale është qesharake, duke u përplasur me Prokurorinë por edhe gjyqtarët.

“Këta njerëz e kanë çliru Kosovën, por këta njerëz kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë çlirimtare. Këta njerëz na kanë mbrojtë nga gjenocidi që e ka bërë shteti i Serbisë, si mos t’i vlerësojmë këta njerëz. Këta janë vlera e kombit tonë, këta janë vlera e jetës tonë në liri, këta janë çlirimtarët tanë. Prandaj jo këtu, por 100 herë kam me e thanë këtë sepse janë vlerë dhe këta njerëz janë në këtë gjykatë, e cila për fatin e keq është bërë qesharake, kanë ardhë me sajesa të cilat i ka bërë Shërbimi Sekret Serb”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Këtu ndërhyri kryetarja e trupit gjykues e cila tha se nuk e lejon ta quajë gjykatën qesharake.