Klinaku: Aktualisht nuk mund të bëhet një riverifikim i listave të veteranëve pasi rasti është në gjykatë

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku në emisionin “Ditari” me Flaka Zogun në Tëvë1 ka thënë se verifikimi i listave të veteranëve të luftës tashmë është bërë nga një komision shtetëror.

Sipas Klinakut, aktualisht nuk mund të bëhet një riverifikim i listave të veteranëve pasi rasti është në gjykatë.

“Verifikimi është bërë në zyret e Qeverisë nga komandantët e atëhershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra nuk është mirë që të bëhet temë kjo sepse ju e dini që thirrjet që ne si organizatë e veteranëve kemi bërë thirrje dhe pastaj ka filluar hetim prokuroria dhe tani lënda është në gjykatë. Dhe nuk ka nevojë që të diskutohet çështje e veteranëve të luftës përderisa kemi një proces gjyqësor që ende nuk ka përfunduar… Nuk mund të bëhet verifikim i veteranëve të luftës përderisa lënda është në gjykatë dhe ne atë çështje e kemi dërguar në gjykatë me thirrjen që e kemi bërë si organizatë që prokuroria ta hetojë e tani rasti është në gjykatë dhe pastaj këto tjerat që i flasin njerëzit nëpër televizione janë veç lojëra fjalësh sepse nuk mund të ndërhyjë përderisa rasti është në gjykatë”, është shprehur Klinaku.

Madje, sipas tij, edhe në qoftë se gjykata thotë se duhet të bëhet një verifikim i listave, kjo përsëri duhet të bëhet nga komandantët e zonave.

“Edhe nëse bëhet një riverifikim ai do të bëhet me komandantët e UÇK-së, sepse nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç komandantëve”, ka shtuar Klinaku.

Ndërkohë, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se numri i veteranëve duhet të jetë rreth 20 mijë, Klinaku ka thënë se numri real i tyre duhet të jetë në mes 25 mijë deri në 30 mijë veteranë.

“Edhe unë para 4 vitesh kam thënë se nuk mund të ketë më shumë sesa 25 mijë veteranë, edhe KFOR-i ka thënë 25 mijë, me logjistikë kemi thënë se mund të jetë dikund 30 mijë. Por njerëzit kanë aplikuar dhe përderisa në ligj është cek se secili që dëshmon rrejshëm, apo ka aplikuar me të dhënë të pasakta, natyrisht keqpërdorimi i statusit të veteranët paraqet vepër penale, por edhe ai që ka njohur statusin e veteranit të dikujt që nuk ka qenë, paraqet vepër penale”, ka deklaruar Klinaku.

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundësi që numri i veteranëve të jetë rreth 60 mijë, por se numri i veteranëve të vërtetë duhet të jetë rreth 20 mijë.