Klinaku: Dialogu u kuptua si detyrim ndërkombëtar, temat e brendshme të mos diskutohen me Serbinë

Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, tha se dialogu me Serbinë është stërzgjatur, duke shtuar se qasja e Kosovës në përgjithësi ndaj këtij procesi ka qenë jo e duhur.

Ai theksoi se procesi i bisedimeve është kuptuar si një detyrim ndërkombëtar.

“Fillimisht dialogu është kuptuar si detyrim ndërkombëtar, si një gjë të pashmangshme që kërkohet nga ndërkombëtarët, por jo si një mundësi për zgjidhjen e problemeve që vërtetë kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë”, tha Klinaku në Rubikon të Klan Kosovës.

Klinaku shtoi se të gjitha temat që Kosova i ka lejuar të shtrohen në bisedime dhe që kanë qenë tema të brendshme të vendit, vendin e kanë vënë në pozicion të keq.

“Për shembull targat, targat janë çështje e thjeshtë e brendshme e Kosovës dhe nuk guxojnë të diskutohen në asnjë variant me Serbinë, është çështje e pazgjidhur e Kosovës dhe në qoftë se ata mund edhe ta shtyjmë, në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta diskutojmë me Serbinë”, u shpreh ai, njofton Klankosova.tv.

Klinaku tha se nëse këto tema vazhdojnë të shtrohen në dialog, Kosova ose ose do të përfundojë duke bërë kompromise me Serbinë, ose duke u përplasur me ndërkombëtarët.