Molliqaj: Mënyra e trajtimit të rastit Dehari nxjerr në pah një të vërtetë tjetër, atë të Vetëvendosjes

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se kanë pranuar raportin e mjekësisë ligjore zvicerane.

E lidhur me këtë sot ka reaguar edhe i pari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.Molliqaj ndër të tjerash tha se e vërteta duhet kërkuar dhe se do ta kërkojnë, por sipas tij mënyra e trajtimit të këtij rasti ka nxjerr në pah një të vërtetë tjetër, e që sipas tij është e vërteta e Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu Molliqaj tha se është momenti kur garanca historike bëhet veç instancë legjitimuese, kurse shtyra për pushtet shtyn secilin kufi.

Molliqaj shtoi se tash heshtin, kurse pushteti vazhdon.

Postimi i plotë:

Të vërtetat për Astritin
Astrit Dehari ka qenë një prej shokëve tanë më të mirë. Do ta kujtojmë gjithmonë kështu. Ai ka ndërruar jetë në dorë të shtetit, dhe kjo është një arsye më shumë për të kërkuar deri në fund zbardhjen dhe sqarimin e çdo rrethane mbi vdekjen e tij.

Tash që e kemi pushtetin e ri, të vërtetës për Astritin duhet t’i shkojmë deri në fund, por jo duke shpallur verdikte në krye të herës, të cilit ia nënshtrojmë provat pastaj. Anasjelltas është rruga drejt të vërtetës.

E vërteta duhet kërkuar dhe do ta kërkojmë, por mënyra e trajtimit të këtij rasti ka nxjerrë në pah një të vërtetë tjetër: të vërtetën e VV-së.

Kush dëshiron ta kuptojë partinë në pushtet përmes një rasti, ju lutem përcjelleni rastin e Astritit. Nuk ekziston edhe një ilustrim më i qartë për natyrën dhe përmasat e instrumentalizimit të një çështjeje sesa çfarë tha e bëri VV përmes këtij rasti. Emri i tij dhe vdekja e tij është përdorur për luftë të brendshme e të jashtme. Atëbotë, Kurti dhe një grup rreth tij hynë në shpirtërat e njerëzve duke përdorur dhimbjen sikur ushujzat gjakun.

Është e vërteta sepse është kapërcyell drejt një faze të re. Është bash momenti kur garanca historike bëhet veç instancë legjitimuese, kurse shtysa për pushtet shtyn secilin kufi. Sakaq ajo zbraz prirjet e brendshme prej viryti brenda një subjekti.

Tash heshtin. Pushteti vazhdon. Kush po mërzitet për raportin e Institutit nga Zvicrra? Rasti i Astritit ka kryer punë.