Klinaku i kundërpërgjigjet këshilltarit të Kurtit dhe i dërgon një porosi kryeministrit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku i ka reaguar këshilltari të Kurtit, Aziz Bicit për deklaratat e tij të fundit, raporton Fokusi.info.

“Sa i përket asaj që ka deklaruar Aziz Bici se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë (e që në atë batalion isha edhe unë) e sipas tij ia paska bërë komisioni numrin 600 e vet ishte komision për vlerësim e verifikim e unë nuk kam qenë, nuk dua të merrem unë tash në publik, sepse për këtë pasaktësi të madhe i reagova edhe në takim që kishim me kryeministrin Kurti, por me këtë do të duhej që të merreshin të tjerët(komandantë e ushtarë të batalionit)”, shkruan Klinaku.

Klinaku shkruan se kanë kërkuar hetim nga prokuroria, teksa kërkon që të publikohet lista prej 250 veteranëve, në mënyrë që të shihet se cilët do të mbesin jashtë saj.

“Nga pozita që e kam unë, dhe duke pasur parasysh që si OVL UÇK kemi kërkuar hetim nga prokuroria dhe prandaj ka proces gjyqësor që duhet të përfundojë, nuk dua të merrem por do të ishte mirë të publikohet ajo listë prej atyre 250 vetave, e të shihen se cilët nga ata qindra ushtarët do të mbeten jashtë saj, por edhe për këtë mendoj se duhet të merret prokuroria”, shkruan Klinaku.

Ndërsa, sa i përket propozimve me shkrim që Kurti pritet të jau jap përfaqësuesve të OVL-UÇK-së, Klinaku thotë se duhet të jenë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A.

“Lojërat politike me këtë çështje, nuk i bëjnë nderë askujt. Edhe kryeministrit ia kemi bërë të qartë se propozimin që do të na japin me shkrim, duhet të jetë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A, që kjo qeveri e ky kuvend e ka ndryshuar, dhe për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media”, përfundon Klinaku.