Konjufca takon shefin e EULEX-it: Sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet i institucioneve

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, u takua sot me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin diskutoi për rolin e këtij misioni në sundimin e rendit e të ligjit në Kosovë dhe mbështetjen ndaj institucioneve të saj, veçanërisht në sferën e gjyqësorit.

Konjufca theksoi se sundimi i ligjit në të gjitha nivelet, duhet të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës, ndërsa bashkëpunimi me misionet ndërkombëtare, siç është EULEX-i, është i nevojshëm.

Nga ana e tij, Lars-Gunnar Wigemark, konfirmoi gatishmërinë e misionit që ai drejton, për të mbështetur Kosovën në ballafaqimin e mëtejmë të sfidave ekzistuese në fushën e sundimit të ligjit, në kuadër të procesit euro-integrues të Kosovës. ​