Klinaku i OVL-së: Mimozën, bashkëbiseduesen e kriminelit Radojiçiç, po e mbron pushteti e s’po e thërret prokuroria

Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje do të duhej të jepte dorëheqje e të fillojnë hetimet për bisedat e saj me kriminelin e shpallur terrorist nga Kosova, Milan Radojiçiç, ka shkruar në Facebook, Faton Klinaku, Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Postimi i Klinakut në Facebook vjen pas intervistës së Slavko Simiç nga Lista Serbe, i cili tha se Kusari-Lila, ndryshe nga sa thotë ajo, ka biseduar shpesh dhe shumë gjatë me Radojiçiç-in.

“Dëshiroj t’ia rikujtoj bashkëbisedueses time se gjatë seancave të caktuara parlamentare caktoi një pauzë për të pasur rastin të bisedojë me Radojiçiç-in dhe të kërkojë prej tij mbështetjen e Listës Serbe, e cila ishte e nevojshme për funksionimin e saj në atë moment”, deklaroi Simiç.

Prandaj, Klinaku thotë se është i befasuar se si “bashkëbiseduesen e një krimineli të shpallur nga Kosova e që është edhe në listë të zezë të SHBA-ve e mbron pushteti, e prokuroria nuk e thërret as për intervistim”.

Ai shkruan se Kusari Lila “në vend se t’jap dorëheqje e me këtë të lehtësohet hetimi i skandaleve, ngrisin padi duke u munduar që ta largojnë vëmendjen nga to”.

OVL pati paralajmëruar protestë duke deklaruar edhe se nuk do të lënë të futen deputetët në Parlamentin e Kosovës, përderisa Kusari-Lila vazhdon të jetë pjesë e këtij institucioni, por në mungesë të organizimit ata nuk dolën kur u mbajt seanca.

Tashmë ka kaluar rreth një muaj, prejse për herë të parë u publikuan videot ku Kusari-Lila e Slavko Simiç dëgjoheshin tek flisnin për shumë tema, mes tyre edhe ajo e listave të veteranëve të luftës.