Ku po mbahet Pantiq? Ministria e Drejtësisë s’përgjigjet pse ish-polici serb s’u dërgua në qendër paraburgimi

Vendndodhja e ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq i arrestuar para më shumë se 10 ditësh në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës, akoma nuk dihet. Ministrja e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk janë përgjigjur pse Pantiq s’po mbahet në njërën nga qendrat e paraburgimit, pasi ndaj tij Gjykata ka caktuar këtë masë sigurie. Përkundër tentativave të Sinjalit për të marrë përgjigje nga ministria që udhëheqë, Albulena Haxhiu, të njëjtit ende s’janë bërë të gjallë.

Që më shumë se një javë, Sinjali ka tentuar të marrë një konfirmim zyrtar fillimisht nga SHKK dhe më pas edhe nga ministria, por përkundër thirrjeve, mesazheve dhe emailave, vendndodhja e Pantiqit mbetet një mister.

Të hënën nga MD i kanë thënë Sinjalit se gjatë ditës do të kthejnë përgjigje në pyetjet e Sinjalit se a ka mosbesim ndaj SHKK-së apo ky institucion s’ka kapacitete për ta mbajtur Pantiqin në qendër paraburgimi, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

Ish-polici serb është arrestuar në Jarinjë dhe nuk dihet nëse e kanë penguar barrikadat në veri transportimin e tij apo cila është arsyeja. Për këtë nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”. Ndaj tij, më 12 dhjetor, Gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Arrestimi i tij ka nxitur disa serbë lokalë që të ngrenë barrikada më 10 dhjetor në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak që po vazhdojnë edhe sot dhe janë përcjellë me tensione.