Klinaku i OVL të UÇK-së i përgjigjet Adem Salihajt pasi tha se shpreson që Thaçi e Veseli do të dënohen

Adem Salihaj ish-deputeti i LDK-së, sot deklaroj se atentati ndaj tij, në qershor të vitit 2000 ishte bërë me miratimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe SHIK-ut, Kadri Veseli.

Ish- figura qendrore e LDK-së, u shpreh se shpreson që Gjykata Speciale t’i dënoj Thaçin e Veselin.

E ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku, në një bisedë për Periskopin, thotë se Salihaj “po e luan rolin e prokurorit kujdestar për të hetuar diçka që as Specialja nuk po e heton”.

“Ai është kundërthënës si shumë të tjerë. Edhe thotë se Gjykata Speciale ishte një e keqe e domosdoshme, edhe e luan rolin e prokurorit kujdestar për të hetuar diçka që as Specialja nuk po e heton. Njerëzit e tillë, të gjitha këto i bëjnë për arsye se aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së është për periudhën deri ne shtator 1999 dhe dmth aty nuk përfshihen vrasjet e pasluftes që këta i quajnë gabimisht politike, për arsye se vetëm gjykatat me aktgjykim të formës së prerë mund të konstatojë se çfarë vrasje kanë qenë” tha Klinaku për Periskopin.

Klinaku, tutje deklaron se nuk janë kundër hetimit të vrasjeve, por nuk e mbështesin gjykimin në gjykatë ndërkombëtare.

“Ne kemi qenë dhe jemi që të hetohet çdo vrasje, ku prej tyre janë të vrarë edhe mbi 200 pjesëtarë të UÇK-së, por nga një gjykatë vendore sepse nuk ju besojmë atyre ndërkombëtare siç është edhe Specialja në Hagë. Dhe të hetohen edhe krimet, masakrat dhe gjenocidi i shkaktuar nga Serbia pushtuese në Kosovë”- përfundon Faton Klinaku nga OVL-UÇK-së.