Kryeziu pas vendimit të Veselit: Do të vazhdoj të jem anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së

Dy ditë pas përfundimit të Konventës Festive të PDK-së, ku paralajmëroi luftim të korrupsionit, kryetari i PDK-së Kadri Veseli mori vendim t’i largojë nga pozitat institucionale dhe partiake të gjithë zyrtarët e partisë së tij, të cilët kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë.

Njëri nga këta, ishte edhe Njazi Kryeziu, i cili shërbente si këshilltar i të parit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ai të enjten në Frontal, tha se e ka mirëpritur vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ndërsa deklaroi se vet e ka liruar këtë pozitë. Madje, shtoi se ishte njëri nga propozuesit që të merret ky vendim, dhe se për këtë, e ka falënderuar edhe vet Kadri Veseli.

“Jam njeri nga propozuesit qe te merret ky vendim. Mendoj qe ka ardhur koha që te jemi të përgjegjshëm ndaj asaj qe e kemi krijuar. Unë kam qene kundër që ata me aktakuza të jenë të përfshirë në pozita. Kryetari me ka falënderuar, me ka thënë je korrekt”

Kurse, i pyetur nëse do ta pezullojë pozitën si anëtar i Këshillit Drejtues në PDK, Kryeziu e ka mohuar këtë, duke thënë se do të vazhdoj ta mbajë atë pozitë, pasi nuk mund të qëndrojë më shumë se dy javë larg partisë së tij.

“Unë mundem të rrijë larg PDK-së dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë, jo më shumë. Momentalisht jam anëtar në Këshillin Drejtues, nuk e kam pezulluar pozitën, i kam pasur gjithsej 269 vota” deklaroi Kryeziu në Frontal të T7.