Klinaku i OVL-UÇK’së: Po krisi lufta, ne luftojmë edhe me armë të lehta sepse jemi në vendin tonë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’s, Faton Klinaku, me një shkrim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nëse është e nevojshme, atëherë do të luftojnë përsëri.

Ai tha se nëse përshkallëzohet situata, ata do të luftojnë me të gjitha armët që kanë në dispozicion, dhe se duhet të mbrojnë territoret shqipfolëse në Serbi.

“Po krisi lufta, ne luftojmë edhe me armë të lehta sepse jemi në vendin tonë, por në çdo rrezik eventual, edhe shteti e edhe populli duhet që cakun e parë ta ketë Kosovën Lindore për ta mbrojtur popullin atje, i cili jeton në trojet e veta”, shkroi ai.

Klinaku ndër të tjera tha se edhe me marrëveshje ndërmjet vete, edhe me akuza të ndërsjella, nuk zgjidhet problemi shqiptaro-serb.

“Problemet nuk zgjidhen me marrëveshje për stikersa në njërën anë, e në anën tjetër me akuza për terrorizëm”, shkroi Klinaku.

Ai tutje shtoi se për të zgjidhur problemi Kosovë-Serbi përveç serbëve duhet edhe shqiptarët në Serbi të iu bëhet një zgjidhje.

“Problemet nuk zgjidhen duke biseduar vetëm për statusin e serbëve të veriut, por edhe për atë të shqiptarëve të Kosovës Lindore që trojet e tyre po iu tkurren çdo ditë”, shkroi U.D i kryetarit të OVL-UÇK’s.

Postimi plotë:

Problemet me Serbinë nuk janë çështje tektike, por politike.

Problemet nuk zgjidhen me marrëveshje për stikersa në njërën anë, e në anën tjetër me akuza për terrorizëm.

Problemet nuk zgjidhen duke biseduar vetëm për statusin e serbëve të veriut, por edhe për atë të shqiptarëve të Kosovës Lindore që trojet e tyre po iu tkurren çdo ditë.

Problemet nuk zgjidhen duke thënë se po armatoset Serbia, sepse nuk na pyet për shkak se është shtet sovran, kundrejt neve që ende jemi të varur e nuk bëjmë asgjë që të hiqet kjo varje.
Kosova duhet t’i bashkohet NATO-s siç po thoni, por a duhet t’i bashkohet BE-së kjo është pak problem, sepse BE edhe mund të prishet krejt.

Për fund:

Po krisi lufta, ne luftojmë edhe me armë të lehta sepse jemi në vendin tonë, por në çdo rrezik eventual, edhe shteti e edhe populli duhet që cakun e parë ta ketë Kosovën Lindore për ta mbrojtur popullin atje, i cili jeton në trojet e veta.