Klinaku: Ivanoviqi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, reagimi i Kurtit është i dëmshëm

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ka thënë se ky i fundit “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Por, Klinaku thotë për Albanian Post se ka qenë i habitur me ndryshimin e mendimit nga Kurti për Ivanoviq-in.

“Ivanoviqi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve”, tha Klinaku për AP.

“Ky reagim i Kurtit, është jo veç i pamatur, por edhe i dëmshëm”, shtoi ai.

Ndërkohë, në një postim në facebook, Klinaku ka theksuar se Kosova sikur multietnike si shumë etnike është e njëjta gjë, e nëse doni ju mashtrohuni.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10160435593672720&id=553212719&mibextid=Nif5oz

“Nëse doni ju mashtrohuni. Veç me e quajt tash kriminelin njeri të mirë, domethënë se e ke një zor të madh”, ka shkruar Klinaku.

Gjatë kësaj të hënë, Kurti, përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës.

“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”.

Sipas Kurtit, vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë.

“Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviç-in, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen”.