Klinaku nga OVL e UÇK-së: Aktakuza dhe publikimi i saj është ndërhyrje në procesin e dialogut

Sekretari i OVL së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit është politike dhe ndërhyrje në procesin e dialogut.

Ai edhe bërjen publike të aktakuzës nga Gjykata Speciale po e konsideron politike me arsye për ta penguar dialogun që do të nisë shpejt, njofton Klan Kosova.

“Kjo është gjykatë politike dhe aktakuzën e ngritur sot e konsideroj politike dhe kryekëput ndërhyrje në procesin e bisedimeve. Aktakuza është në kundërshtim me rregullat e veta. Aktakuza që bëhet publike është ndërhyrje në proces dhe është politike”.

Klinaku tha se asnjëherë nuk u pajtuan me ngritjen e një gjykate që gjykon vetëm pjesëtarët e UÇK-së dhe jo serbët që kryen krime lufte.

“Drejtësia ndërkombëtare ka qenë padrejtësi. Kemi kërkuar gjykatë vendore. Kjo është duke i gjykuar vetëm pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa serbët që kanë kryer krime nuk po gjykohen”.