Klinaku, Osmanit: Noterja e Kurtit mos të merret me njerëzit në Hagë, por me gjendjen që e kanë krijuar në veriun e Kosovës

Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës ka thënë sot se: “Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro-individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesava individuale”.

Lidhur me këtë, ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas fjalimit vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës, shkruan Fokusi.info.

“Noterja e Albin Kurtit, përçarësja Vjosa Osmani, sa merret me njerëzit që nuk mund t’i përgjigjen nga paraburgimi në Hagë, le të merret me gjendjen që e kanë krijuar në veriun e Kosovës, e cila është kthyer si në kohën e protektoratit”, ka shkruar Klinaku.

Postimi i plotë:

Përpjekja shtetërore e presidentit Hashim Thaçi që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i gëzojnë të drejtat e njëjta me serbët e veriut, e që synim kishte shpëtimin e atij territori të banuar me shumicë shqiptare e që vit pas viti po tkurret dhe do të mbetet pakicë, paçka nëse kjo përpjekje do të dërgonte edhe në korrigjim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, të quhet tregti, përveç që është absurde, është budallaki, por dhe e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët.

Noterja e Albin Kurtit, përçarësja Vjosa Osmani, sa merret me njerëzit që nuk mund t’i përgjigjen nga paraburgimi në Hagë, le të merret me gjendjen që e kanë krijuar në veriun e Kosovës, e cila është kthyer si në kohën e protektoratit.

Nuk ka tradhti më të madhe sesa shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të lihen në mëshirën e pushtuesit serb.