Klinaku paralajmëron se ditë të vështira po e presin Kosovën!

Avni Klinaku, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se çfarëdo asociacioni a autonomie apo çfarëdo kompromisi i ri i cili bëhet vetëm për serbët e Kosovës nuk ka për të funksionuar dhe vetëm sa do të humbasim disa vite dhe do të komplikohet zgjidhja finale.

Statusi i plotë:

Derisa marrëveshja mbahet ende sekrete, siç ishin sekrete deri sot edhe bisedimet në darkën e famshme të Brukselit, nuk është e vështirë të konkludohet se vetëm marrëveshjet me kompromise të rënda mund të shkaktojnë “mosgatishmërinë politike të Kuvendit të Kosovës”, ose “paqëndrueshmëri afatgjatë politike edhe brenda vetë grupit parlamentar” të VV-së, e madje edhe nevoja e Kurtit për unitet me PDK, LDK e AAK e deri te “skenarë të rinj, siç është zgjerimi i koalicionit qeveritar në mënyrë që të zgjerohet mbështetja politike.” Të gjitha këto dolën nga raporti i Borrellit për “darkën e Brukselit”.

Ky është paralajmërim se ditë të vështira po e presin Kosovën!

Megjithatë, çfarëdo asociacioni a autonomie apo çfarëdo kompromisi i ri i cili bëhet vetëm për serbët e Kosovës nuk ka për të funksionuar dhe vetëm sa do të humbasim disa vite dhe do të komplikohet zgjidhja finale.