Haradinaj e përfundon dëshminë e tij në Hagë, thotë se në asnjë mënyrë s’do të nxirrte të dhënat e dëshmitarëve

Të premten, pas katër ditësh të dhënies së dëshmisë së tij, Nasim Haradinaj e ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

Ai ka thënë se krejt kjo çka ka bërë dhe po akuzohet dhe arsyeja nëse i ka bërë këto dhe këtë sa ka bërë ka qenë vetëm transparenca dhe interesi publik.

“Dhe të përçoja dhe tregoja se si po ndihemi edhe ne si veteranë dhe opinioni publik. Tek e fundit e kam dhënë jetën për këtë liri e demokraci”, ka thënë Haradinaj.

Avokati Toby Cadman i tha Haradinajt se prokuroria dje e ka akuzuar se e ka publikuar këtë material, ai e ka pyetur Haradinaj se a ka publikuar ndonjë nga materialet.

“Pom doket nuk e paskët ni, gjatë dy ditëve me radhë e kam cek se asnjëherë, në asnjë çast, asnjë fletë e asnjë sekond nuk kam publiku dhe fotografu as me telefon as me kurgjo vet, personalisht”, ka thënë Haradinaj.

Ai është pyetur se a mendon se ka dallim mes fjalës publikim dhe bërje publike, e Haradinaj tha se po dhe varet në cilën kontest thuhet.

Haradinaj ka thënë se ai nuk e di nëse këto gjëra a janë më interes publik, por se nëse është interes publik atëherë është detyrë e çdo qytetari.

“Andaj kur më pyeti prokurori a do të bënit mo, nuk dashta të mendoj se çka do bëhet, se këto gjëra nuk besoj se pas dy vite do jetë interes publik. Por nëse janë është interes publik. Transparenca dhe interesi publik mendoj se janë të detyrueshme”, ka thënë ai.

Kurse, tha se në asnjë mënyrë nuk do të nxirrte të dhënat e dëshmitarëve.

“Për ne ka qenë në interes publik vetëm me tregu çka na ka ardh, jo çka ka në brendi”, ka thënë Haradinaj.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi