Klinaku: Termi i vjetër i nacionalizmit serb “ndarje e Kosovës” ka mbetur ende vetëm nëpër dhëmbët e disa shqiptarëve!

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku ka deklaruar se termi i vjetër i nacionalizmit serb “ndarje e Kosovës” ka mbetur ende vetëm nëpër dhëmbët e disa shqiptarëve, shkruan Fokusi.info.

“Mund të jesh për ose kundër shkëmbimit të territoreve, mund të jesh për ose kundër ripërcaktimit të kufijve, mund të jesh për ose kundër korrigjimit të kufijve, por sa herë e zë në gojë “ndarjen e Kosovës” bën dëm dhe dukesh naiv e qesharak. Është diçka si lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës! Ndarja e Kosovës është varrosur më 1999″, ka shkruar Klinaku.

Postimi i plotë i Klinakut:

Termi i vjetër i nacionalizmit serb “ndarje e Kosovës” ka mbetur ende vetëm nëpër dhëmbët e disa shqiptarëve!

Gjatë historisë së pushtimit të Kosovës nga Serbia janë të njohura edhe teoritë për ndarjen e Kosovës. Këto politika kanë ardhur nga personalitete të ndryshme të nacionalizmit serb zakonisht kur ata janë munduar të analizojnë “më realisht” se sa pushteti i kohës në Serbi. Dhe rezoni i tyre ka qenë i qartë: Po e humbasim Kosovën gjithsesi, prandaj le ta ndajmë.
Pas luftës së vitit 1999 dhe fitorës së Kosovës, teoria për ndarjen e Kosovës është zhdukur edhe nga gjuha e nacionalistëve me agresivë serbë si diçka e pamundur tanimë.

Për fat të keq, termi “ndarje e Kosovës” është aktualizuar nga disa politikanë e liderë politikë shqiptarë, të cilë në luftë pë t’i goditur kundërshtarët politikë, në luftë për një grusht vota më shumë e kanë riaktualizuar këtë term të nacionalizmit serb.

Mund të jesh për ose kundër shkëmbimit të territoreve, mund të jesh për ose kundër ripërcaktimit të kufijve, mund të jesh për ose kundër korrigjimit të kufijve, por sa herë e zë në gojë “ndarjen e Kosovës” bën dëm dhe dukesh naiv e qesharak. Është diçka si lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës!

Ndarja e Kosovës është varrosur më 1999.