Klosi: Mbi 500 mijë turistë italianë pritet që të vizitojnë Shqipërinë në 2019-ën

“Shqipëria një botë e pashkelur” ishte tema e aktivitetit të organizuar nga kompania Adria Ferries përballë gazetarëve italianë dhe aktorëve kryesorë të turizmit në Shqipëri.

Nën moton “2 popuj, 1 det një miqësi”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal tek mundësitë që ka Shqipëria për t’u zhvilluar në aspektin turistik, specifikisht duke qenë në sytë fqinjëve tanë italianë.

“Jemi mëse të nderuar që kemi këtë bisedë të hapur për mundësitë që ka realisht Shqipëria për zhvillimin në botën turistike dhe për të pasur gjithnjë e më shumë vëmendje të turizmit Italian specifikisht. Viti 2018 shënoi 60% më shumë turistë italianë se sa viti 2016, ose në shifra konkrete rreth 326 000. Ne presim që viti 2019 të kalojë shifrën e gjysmë milionë italianëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Investitorët italianë kanë filluar të mendojnë se Shqipëria është një mundësi e artë për të bërë një ndryshim në bizneset e tyre. Për investitorët strategjikë të cilët kërkojnë të bëjnë investime në vendin tonë ne ofrojmë mundësinë e taksave 0 për 10 vjet, afrojmë mundësinë e reduktimit të taksës së shërbimeve brenda hotelerisë në 6%”, u shpreh Klosi.

Ministrja e kulturës Elva Margariti u ndal jo vetëm tek natyra e virgjër shqiptare, por edhe tek thesaret e paçmuara kulturore, sitet arkeologjike, monumentet apo kështjellat.

“Kemi mundësinë sot të kuptojmë se në cilin drejtim të shkojmë me trashëgiminë tonë kulturore dhe ky drejtim tashmë ka filluar të marrë një formë të qartë që është ajo e rijetëzimit, rikthimit të trashëgimisë kulturore në një motor zhvillimi ekonomik që pikë së pari jo vetëm ngre vlerat e trashëgimisë që ne kemi por mbi të gjitha i jep jetë edhe jetës ekonomike të përditshme rreth e rrotull këtyre siteve të pafundme që ne kemi që shkojnë nga sitet arkeologjike por edhe deri në monumentet, në kështjellat, në shtëpitë monumente kulture dhe në fshatrat ruralë të cilët janë vërtetë thesari i pashpallur i vendit tonë”, u shpreh  Elva Margariti, ministre e Kulturës./atsh