KMDLNJ del në mbrojtje Kimete Berishës, i dënon kërcënimet

Këshilli për Mbrojtjën e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj kërcënimeve që ka marrë opinionistja, Kimete Berisha.

Nga KMDLNJ e kanë dënuar ashpër kërcënimin ndaj Berishës, ashtu sikur edhe kërcënimet që po u bëhen gazetarëve tjerë.

“Liria e fjalës, liria e shprehjes, e drejta për t’u informuar dhe për të krijuar informatën janë të drejta elementare të njeriut dhe, si të tilla janë të pacenueshme dhe duhet të respektohen. Në rastin e opinionistes, Kimete Berisha, shkelja e të drejtave të njeriut, të përmendura më lartë janë shkelur në mënyrë flagrante dhe, për më keq, kemi një shkelje edhe më të rëndë, e drejta për jetë”, është thënë nga ky Këshill.

Reagimi i plotë:

Opinionistja, Kimete Berisha dje, në një postim në rrjetet sociale ka deklaruar se është kërcënuar për shkak të shkrimeve dhe analizave që i bën, nga një person, emrin e të cilit e ka të njohur por se nuk ka dashur ta bëjë publik për lexuesit dhe përcjellësit e saj në rrjete sociale apo media tjera. Gjithashtu, Kimete Berisha ka deklaruar se rastin nuk e ka paraqitur në Policinë e Kosovës shkaku se i mungon besimi në Polici dhe organet e drejtësisë. Nuk është hera e parë që Kimete Berisha kërcënohet për shkak të qëndrimit që e shpreh përmes shkrimeve. Në postimin e djeshëm tregon edhe për tekstin e kërcënimit që, përveç se e kërcënon drejtpërdrejtë autoren Berisha, në mënyrë të paskrupullt fyen dhe kërcënon anëtarëte familjes së saj, të gjallë dhe të vdekur.

KMDLNj e dënon ashpër këtë kërcënim sikur edhe kërcënimet që iu bëhen gazetarëve tjerë si përpjekje për ngulfatje dhe pengim të fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes e që është përpjekje tipike e vendeve me mendësi diktatoriale për të imponuar një uniformitet të informimit, gjithnjë sipas standardeve që përcaktohen nga ata që e kanë pushtetin, pavarësisht se kush është në pushtet. Pikërisht për këtë arsye, në indeksin e lirisë së shtypit dhe tolerancës ndaj punës së gazetarëve, Kosova është renditur lartë, në kontekstin negativ.

KMDLNj, edhe më parë ka rekomanduar që të gjithë ata që ndjehen të rrezikuar nga një shkrim, analizë apo postim i atyre që kanë mandat të krijojnë opinion përmes informimit profesional, të drejtë dhe të mbështetur në fakte, duhet t’i drejtohen autoriteteve përkatëse të drejtësisë dhe jo ta marrin në duar vetgjyqësinë, qoftë ajo edhe vetëm në formën e natyrës verbale.

KMDLNj mbështet Kimete Berishën dhe të gjithë gazetarët që padrejtësisht kërcënohen dhe të cilët kanë mandat profesional dhe moral ta informojnë opinionin e që numri i tyre nuk është i vogël dhe po rritet dita – ditës.

KMDLNj kërkon nga gazetarët dhe ata që krijojnë opinion që të jenë të përgjegjshëm dhe profesional në punën që e, në të kundërtën duhet të përballen me pasojat profesionale dhe ligjore.

Liria e fjalës, liria e shprehjes, e drejta për t’u informuar dhe për të krijuar informatën janë të drejta elementare të njeriut dhe, si të tilla janë të pacenueshme dhe duhet të respektohen. Në rastin e opinionistes, Kimete Berisha, shkelja e të drejtave të njeriut, të përmendura më lartë janë shkelur në mënyrë flagrante dhe, për më keq, kemi një shkelje edhe më të rëndë, e drejta për jetë.

Pavarësisht se Kimete Berisha nuk e ka paraqitur rastin në Polici të Kosovës e as nuk e ka bërë publik emrin e kërcënuesit, Policia e Kosovës duhet të nisë hetimet ex offitio e që për bazë duhet të merret postimi i Kimete Berishës. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional që, përmes Njësisë së Inteligjencës Kibernetike, ta hetojë rastin dhe ta identifikojë autorin e kërcënimit sikur që ka vepruar me shumë sukses në raste të ngjashme më parë!