KMDLNj: Dhomat e specializuara vazhdojnë t’i shkelin të drejtat e njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar duke akuzuar Dhomat e Specializuara në Hagë se po shkelin të drejtat e njeriut.

Ata kanë përmendur një varg kritikash ndaj Gjykatës Speciale, që sipas tyre përbëjnë shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në reagimin e tyre thuhet se në gjykimn e ish-krerëve të UÇK-së ka shkelje flagrante të përdorimit të gjuhës zyrtare, përcjell Fokusi.info.

“Ndaj tyre kemi të bëjmë me shkelje flagrante të përdorimit të gjuhës zyrtare në Kosovë e që është edhe gjuha amtare e të akuzuarve – gjuha shqipe për faktin se edhe konfirmimi i aktakuzës ishte përkthyer vetëm pjesërisht në gjuhën shqipe që e vështirëson pregatitjen e mbrojtjes. Ndaj tyre kishte shkelje të drejtave të njeriut edhe gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore si dhe mospajisja me kohë me viza afatgjata e në një rast një familjari i ishte refuzuar viza hyrëse duke e bërë të pamundur viziten familjare . KMDLNj –ë nuk e komenton fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve për faktin se kjo vërtetohet apo mohohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente”.

“KMDLNj përcjellë me shumë kujdes respektimin apo shkeljen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria , tash të paraburgosur në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë , si conditio sine qua non – kusht i domosdoshëm për një proces gjyqësor të drejtë , të paanshëm dhe të pandikuar politikisht e që në rastin konkret lë shumë për të dëshiruar , që nga çasti i arrestimit e deri më tani ! Shkelja e parë , ende pa filluar mirë procesi ishte bërë kur para një një arrestimi të ngutshëm ishin bërë publik vetëm emrat e të arrestuarve me një arsyetim se ndonëse ishte e kundërligjshme , ishin të detyruar ta bëjnë publik këtë listë të ngushtë sepse të arrestuari paskan bërë përpjekje të vazhdueshme për pengimin e punës së Gjykatës Speciale dhe paskan bërë, gjithashtu përpjeke për zhbërjen e saj “, thuhet në reagim.

KMDLNj tha se ky ishte rasti i parë që ishte vepruar në këtë mënyrë e që më parë nuk e kishte bërë asnjë Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte e që ishte paragjykim i orkestruar me qëllim të prezumimit të pafajësisë.

“Bastisjet dhe sjellja gjatë bastisjeve ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut sidomos në rastin e Jakup Krasniqit dhe veteranëve të OVL-së së UÇK-së. Versioni i shkurtër i konfirmimit të aktakuzës ishte dorëzuar kryesisht në gjuhën angleze që është gjuhë e punës së GJS -e por jo edhe gjuhë zyrtare në Kosovë. Neglizhenca për përkthim të tërësishëm të materialeve e vë në pozitë të pabarabartë të akuzuarin duke ia dobësuar cilësinë e mbrojtjes. Deri më tani , përveç premtimeve se po punohet në përkthim të materialeve, nuk ka asnjë përparim që siguron se kjo do të përmbushet ashtu si e parasheh Ligji për Përdorim të Gjuhëve Zyrtare në Kosovë”.

“Në njërën nga seancat e para dëgjimore , Zyra e Prokurorit të Specializuar vëri nën presion të akuzuarit dhe mbrojtësit duke deklaruar se gjykimi duhet të fillojë në shtator të vitit 2021 në ndërkohë që po kjo Zyre , në mungesë të provave vazhdidmisht kërkon shtyerje të afateve për dorëzimin e dosjeve paraprake të Prokurorisë duke premtuar se këtë do ta bëjë deri më 17 dhjetor 2021 duke e penguar mbrojtjen ( për shkak të mungesës së dosjes paraprake ) , ta përgatisë mbrojtjen efektive. Luajtja me afate e ZPS –ar për dorëzimin e dosjes paraprake e ka zgjatur kohën e paraburgimit përtej afateve të arsyeshme. Deklaratat publike të prokurorit të ZPS –ar se një apo më shumë i akuzuar mund të dënohen me burgim të përjetshëm është ndërhyrje dhe presion në punën e GJS –e për faktin se e prezumon pafajësinë. Sipas legjislacionit në fuqi dhe ligjeve më të favorshme për të akuzuarit në kohën kur dyshohen se kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit , dënimi maksimal që mund të shqiptohet është 20 vjet “, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ftuan organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta bëjnë monitorimin efektiv të proceseve gjyqësore para Gjykatës Speciale në Hagë në mënyrë që siç thuhet në reagimin e tyre, të ndërpritet me shkeljen evidente të të drejtave të njeriut të personave të paraburgosur.