Koalicioni AAK-PSD nominoi zyrtarisht Haradinajn kandidat për kryeministër

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është nominuar për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, në një tubim të mbajtur sot.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve , Haradinaj ka folur edhe për përpjekjet për ndarjen e Kosovës.

Ai fjalimin e ka nisur duke përshëndetur fitoren e Kosovës ndaj Çekisë.

Haradinaj ka thënë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij gjithmonë e kanë mbrojtur pragun e shtëpisë.

“Ne e kemi mbrojt gjithnjë pragun e shtëpisë dhe do ta mbrojmë. Kosova jonë me ushtrinë e vet, me polici, gjyqësi, institucione sot është me e sigurt, por populli i Kosovës është zot shpije në shtëpi të vet”, është shprehur ai, thuhet në një njoftim për media.

Ka folur edhe për kohën kur e ka marrë udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

“Në shtator 2017 kur e kam marrë udhëheqjen, shpija jonë Kosova ishte në terr, nuk prodhonte energji elektrike. Merreni me mend ishim në terr. Kosova nuk e kishte Trepçën, nuk e kishte Ushtrinë”, ka theksuar Haradinaj.