‘Hajde se na vranë!’ ‘Pusia’ për hajdutin që vidhte misra përfundon në tragjedi, vdes një nga dy vëllezërit

Tre vrasje janë shënuar gjithsesj brenda pak orëve në Shqipëri. Dy në Elbasan dhe ngjarja tani në Durrës.

Një 65-vjeçar i quajtur Fiqiri Çalliku është vrarë në Xhafzotaj të Shijakut në orët e vona të ditës së mërkurë.

Policia bën me dije se viktima ka qenë së bashku me vëllain e tij Fadil Çalliku 63 vjeç, në pronën e tyre, kur janë konfliktuar me një tjetër person, i cili ka shkuar t’u vjedhë misrin.

Më konkretisht mësohet se vëllezërit kishin organizuar një pusi për hajdutin, i cili një javë më parë kishte bërë të njëjtën gjë, duke shkuar dhe vjedhur misrin. Për këtë arsye 65-vjeçari ka qëndruar roje dhe në momentin që ka parë hajdutin është përleshur me të.

I shqetësuar për vonesën e Fiqiriut, në vendin e ngjarjes, në arë, ka shkuar i vëllai i tij. Fadili. Ky i fundit është ndeshur me situatën dhe për pasojë ka mbetur i plagosur pas përleshjes me hajdutin. Gjithsesi ai ka mundur të marrë nipin në telefon, të birin e Fiqiriut dhe i ka thënë: ‘hajde se na vranë’.

Viktima Fiçiri Çalliku

Nipi më tej ka lajmëruar policinë, e cila ka bërë disa shoqërime dhe është ende në kërkim të autorit.

Ndërkohë pas mbërritjes së djalit, Fiqiriu është tentuar të dërgohet në spital, por më pas ka ndërruar jetë në duart e mjekësve.

Orët e vona të së mërkurës dhe mëngjesi i së martës kanë qenë trishtuese për vendin, pasi tre persona janë vrarë. Dy viktima janë shënuar në Elbasan në harkun e 12 orëve, ndërsa tani i është shtuar edhe ngjarja në Durrës.

Shqiptarja.com